05.03.2024

“Reforma e mbrojtjes sociale në Maqedoninë e Veriut nga viti 2019: Efektet dhe qëndrueshmëria”

Më 04.03.2024, u mbajt prezantimi publik i analizës "Reforma e mbrojtjes sociale në Maqedoninë e Veriut nga viti 2019: Efektet dhe qëndrueshmëria" e organizuar nga Fondacioni Fridrih Ebert - zyra në Shkup dhe Shoqata për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm (SIGA).

Qëllimi i Analizës ishte të ofronte një pasqyrë të elementëve të reformës dhe të vlerësonte zbatimin e saj në praktikë, me qëllim vlerësimin e ndikimit të drejtpërdrejtë që reforma kishte në përdoruesit e synuar, si dhe efektet afatgjata dhe qëndrueshmërinë e reformës. Autorët që kanë punuar në këtë analizë janë Dr. Pol Stabs dhe Prof.Dr. Vanço Uzunov.

Dr. Pol Stabs theksoi se reforma sociale është një reformë e guximshme që ka bërë një hap pozitiv përpara në katër vjet me futjen e ndihmës minimale të garantuar, ku rritja është mbi 40% në numrin e ekonomive familjare.

"Qëllimi për të rritur mbulimin është arritur. Ka shumë më tepër njerëz që shfrytëzojnë përfitimet e një ndihmë minimale të garantuar sesa në sistemin e mëparshëm të ndihmës sociale në para", tha Dr. Stabs, duke cituar analizën.

Qëllimi i arritjes së efikasitetit më të madh gjithashtu është arritur në masë të madhe. Shuma mesatare e transfereve për ndihmë sociale është rritur më shumë se dyfish, nga rreth 3.000 denarë para reformës, në mbi 7.000 denarë për përdorues pas reformës.

Prof. Dr. Vanço Uzunov theksoi se ndihma sociale është po aq e rëndësishme, në mënyrë të barabartë për qytetarët e pasur dhe të varfër, dhe të gjithë duhet ta kuptojmë këtë.

“Është rritur numri i personave që janë përdorues, është rritur edhe shuma e parave, ndihma që ata marrin. Mënyra se si shpërndahet e gjithë ajo ndihmë është përmirësuar, ka shumë efekte pozitive. Në një shtet të shekullit 21, kjo duhet të jetë një detyrë e pandalshme. Kemi një shembull të mirë se si pas një reforme të mirë bëhet një vlerësim real i asaj që është arritur për të parë se çfarë ndodh më pas. Kjo ishte një reformë shumë e mirë e sistemit të mbrojtjes sociale nga viti 2019. Pastaj, u përplas me problemet e inflacionit dhe më parë me pandeminë me virusin Kovid, e cila tregoi se reforma ishte fleksibël për të zbutur pasojat”, tha Uzunov.

Friedrich-Ebert-Stiftung
Skopje

Boul. 8-mi Septemvri 2/2-5
(TCC Grand Plaza),
Skopje 1000,
North Macedonia

+389 2 3093-181 / -182
contact(at)fes-skopje.org